Prej 6 vitesh jam pjesë e një grupi të vogël të rinjsh të apasionuar pas historisë së antikitetit, sporteve të natyrës dhe arkeologjisë, në kërkim të gjurmëve të së shkuarës, me nje mision të përbashkët: Promovimin e zonave të thella rurale, për më shumë akses dhe zhvillim.
Udhëtuam këtë fundjavë drejt Selosë dhe rrënojave të Selosë, një monument i vendosur në një terren tepër të aksidentuar në grykën shkëmbore të lumit të Klisharit. Sipas shpjegimeve paraprake të arkeologut prof. dr. Dhimitër Çondi, muret me gurë jashtëzakonisht të mëdhenj që gjenden në të majtë të rrjedhës së lumit të Klisharit janë pjesë e një siti të lashtë arkeologjik, që shkon thellë në periudhën midis shekujve IV-II dhe i përkasin një fortifikimi të banuar, që nëpërmjet kullave dhe pozicionit jashtëzakonisht dominant kontrollonte mjaft mirë lëvizjet në luginën e ngushtë midis fshatrave Klishar dhe Selo. “Bëhet fjalë për mbrojtjen e fortifikuar të një territori të banuar në lashtësi, që gjendet midis maleve të larta të Morganës dhe në kufijtë midis tri fiseve të lashta: Kaonisë, Thesprotisë dhe Molosisë”.
Rrënojat e kalasë të Selosë që, sipas arkeologëve, datojnë ndoshta të moshës 2500 – 3000 vjeçare, gurë “ciklopikë” të përmasave të jashtëzakonshme, që peshojnë me dhjetëra tonë janë lëvizur nga muret dhe janë rrokullisur në greminë, duke shkatërruar në pjesën më të vizitueshme një nga dëshmitë më monumentale të jetës antike në territorin e Shqipërisë.
Histori e lashtë, që gremiset në humnerat e harresës larg veshit të sotëm indiferent për të shkuarën. Pa njohur të shkuarën nuk ka të ardhme. Po flemë dhe duket sikur vuajmë nga një humbje kujtese kolektive që na bën ta shohim me indiferentizëm historinë tonë disa mijëra-vjecare.
Monumenti që të imponohet me vertikalitetin dhe madhështinë e tij, në pjesën më të mundshme për t’u vizituar, përbëhet nga një mur i madh fortifikues rreth 110 metra i gjatë, rreth 3 metra i gjerë dhe vende-vende edhe 4-5 metra i lartë, mur i cili zbret pingul në shpatin e pjerrët të malit nga ana e fshatit të Selosë drejt shtratit të lumit dhe përfundon në një kullë vrojtimi të përmasave 4 x 5 metra. Pikërisht në dyshemenë e kësaj kulle dhe në pjesën qendrore të mureve të kullës, që është dhe pjesa më e dukshme për syrin e vizitorit që lëviz në rrugën këmbësore që kalon paralel me rrjedhën e lumit. Me shpresën se do ketë më tepër vëmendje në të ardhmen, vazhduam rrugëtimin tonë drejt fshatit të bukur të Selosë.
E përshtashme për tu vizituar gjatë gjithë vitit, Seloja të ofron mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit shëtitës, për të gjithë ata që kërkojnë aventura larg zhurmës së qyteteve metropolitane. Personat që e vizitojnë për here të pare Selonë përjetojnë ndjesinë e të qënit një me natyrën, me florën dhe faunën e pasur të zonës.
Martin, një turist gjerman që e vizitoi Selonë vitin e kaluar nën drejtimin tonë, më tregoi se ishte mjaft I surprizuar me këtë vend. E pershkroi Selonë si një vend për të gjetur vetveten, si një lloj pelegrinazhi, një vend ku ti je I lirë të jesh vetvetja larg pajisjeve moderne (pasi ecen 3 km nga fshati nuk kap sinjal celulari) komoditeteve, nje vend aq sa I thjeshtë dhe I egër.
Pikërisht kjo është e vecanta e Selosë. Të jep mundësinë për të përjetuar dicka ndryshe. Në distancën prej 6 km nga fshati gjendet zona e mbrojtur "Bredhi I Sotirës", një zone mjaft e dendur me bimësi dhe kafshë të egra si ujku, ariu, derri I egër, thellëza etj. Nëse kërkon të kalosh një natë në pyll me miqtë e tu është pikërisht kjo zona e cila ja vlen ta zgjedhësh.
Midis zonës së bredhave dhe fshatit shtrihet lëndina që të con tek ish manastiri I profet Ilias, (e rrenuar) tashmë fare pak gjurmë kanë ngelur për të dëshmuar ekzistencën e saj. Derisa ndjek degëzimin dhe rrugën e përroit që të con për në Sotirë në fshatin ngjitur nga ana e majtë. Nëse je ende I pavendosur dhe nuk di ku të shkosh për të kaluar një fundjavë ndryshe, eja në Selo. Merr dhe shokët me vete, sepse aventurat janë bërë për tu ndarë me miqtë e tu më të ngushtë.
Përgatiti materialin:
Aleksander Paskali – aktivist I lëvizjes për promovimin e zonave të thella rurale për më shumë akses dhe zhvillim “Dropull nje eksperience rurale”
Koordinator I grupit “Hiking South Albania”, drejtues I guidave lokale të personalizuara në zonën e Dropullit prej 6 vitesh, vizita në objektet e kultit dhe zonat e rëndësisë së veçantë, njohës mjaft I mirë I shtigjeve malore.
©Copyright Hiking South Albania
Ky artikull është ekskluziv i Alexander Paskali dhe Hiking South Albania, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Hiking South Albania dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara “Hiking South Albania” – Guida malore dhe “Dropull, nje eksperience rurale”
Për më shumë informacion na gjeni në :
https://www.facebook.com/Albanian.Adventurer/