Hiking South Albania

Hiking South Albania
Explore South and have an unique rural experience

Friday, January 26, 2018

SOTIRA E BREDHAVE, E SHARRES SE UJIT, SOTIRA E MISTERSHME, THESARI I HARRUAR

Vendndodhja : midis grykave mahnitëse të Coklit të Selos, grykës së Havos në Sotirë, grykës së Koshovicës, Bashkia Dropull, Gjirokaster
Njësia Administrative: Dropull i Sipërm
-----------------------------------------------
1.Mjedisi / Natyra

Fshati i Sotirës ndodhet në jug-perëndim të Bashkisë së Dropullit. Në këtë zonë ndodhet monumenti i natyrës dhe zona e mbrojtur e Kategorisë së III-të “Bredhi i Sotirës”. Kjo zonë ofron pika peisazhistike, potenciale ekoturizmi dhe alpinizmi. Territori natyror i fshatit Sotirë, ka potencial të lartë për shkak të depozitimit më të madh të ujit, tokës, humusit dhe elementëve të tjerë ushqyes, është e pasur me vIera ekoIogjike, pejsazhistike, rekreative dhe ekonomike, për shkak dhe të përzjerjes së Ilojeve të ndryshme të drurëve, sidomos atyre halorë dhe fletorë, por edhe midis vetë fletorëve me vIera industriaIe, mjekësore dhe dekorative. Ato kanë një shtrirje 600-1,800m mbi nivelin e detit. Toka është e murrme pyjore (MP), ndërsa në pjesën e poshtme, pranë fshatit Sotirë është e hinjtë kafe dhe e formuar mbi formacione sedimentare e gëlqerore, të cilat e bëjnë këtë zonë mjaft pjellore. E përbërë nga male, kodra dhe një luginë ku ndodhet dhe fshati i Sotirës, kjo zonë është e pasur me pyje të dendur si pisha e zezë, bredhi i bardhe, ahu, panja e malit, shelgu i egër, bunga, bimë mjekësore, lule të rralla etj. Zona ka një faunë të egër që përfshin: derrin e egër, lepurin e egër, ujkun, kaprollin, dhelprën, thëllëzën e malit etj.

                                       

2.Trashëgimia Kulturore 

Ky fshat ka një rol të rëndësishëm për  Dropullit pasi aty zhvillohet dhe festa historike e Metamorfosis (transformimi i shpëtimtarëve).
Cdo vit ky fshat pret më shumë se 700 vizitues për këtë festë, e cila ndodh përreth Kishës se Shën Thanasit ku dikur qëndronte Manastiri i vjetër, dhe Kishës së Metamorfosis, ku më te rinjtë kërcejnë dhe përcjellin traditën, duke treguar historinë e krijimit të fshatit dhe legjendat e ngritura mbi këtë fshat.
Disa nga elementet me vlerë kulturore për t’u promovuar më gjerë janë dhe shkolla 8-vjeçare e Sotirës, Kisha e Shën Sotirës, rikthimi i Mullirit me ujë që është dhe një veçori e zonës, Sharra me ujë etj.


3.Potenciali Agro- Turistik

Kjo zonë ndodhet e rrethuar nga natyra dhe pejzazhi malor. Bimët medicinale dhe ato aromatike përbëjnë një pjesë të mirë të produkteve lokale që prodhon zona, të cilat mund të kthehen në produkte promovuese edhe të agro-turizmit. Disa nga produktet janë: cajrat terapeutikë, çaji i sherebelës, rigoni i bardhë, mentja e egër, njëmijëfletëshi, trumza, zhumbrica, trëndafil i egër, aguliçe, dëllenjë e zezë, shtog, hithër, lulëkuqe dhe kamomil. Produkte të tjera që mund t’I shtohen gamës së ofruar në kuadër të zhvillimit të agro-turizmit janë:  trofta, derri i egër, kërpudhat e egra  frutat e pyllit dhe shumë produkte të tjera bio. Disa nga produktet e kësaj zone janë mjaft të rralla, edhe brenda vetë  Dropullit.
Zhvillimi sado i vogël i turizmit është bërë shkak për nxitjen e zhvillimit spontan dhe momentalisht mjaft modeste të agro-turizmit, për të cilin kjo zonë ka një potencial mjaft të madh. Shkak për këtë mund të jetë dhe vetë struktura e fshatit, i cili është i rrethuar nga pyje të dendur dhe shkurre, të cilat shtrihen në mënyrë të tarracuar dhe përfundojnë në një luginë që përshkohet nga lumi.
Të gjitha produktet lokale dhe objektet e atraksionit turistik të kësaj zone mund të mblidhen në një distance prej 500-700 metrash,dhe  kjo e bën këtë zonë mjaft të përshtatshme për të zhvilluar një agro-turizëm autentik.

   
4.Potenciali konkurues në produkte   

Kjo zonë prodhon një sërë produktesh blegtorale, artizanale dhe autentike, të cilat tregëtohen në mënyrë të pa-organizuar në pjesë të ndyshme të territorit të  Dropullit. Tregëtimi ndodh kryesisht në bazë njohjesh dhe rekomandimesh, ku individë nga rajoni vijnë për të siguruar produkte specifike të zonës, lëndë të parë, ose të përpunuara sipas traditës së vjetër.
Zona ka një potencial të lartë në prodhimin e produkteve, por aksesi i dobët në treg dhe mungesa e hapësirave, teknologjisë apo dhe trajnimit të banorëve për përpunimin e këtyre produkteve, ka limituar tregëtimin dhe aksesin në treg. Potenciali konkurues i kësaj zone mund të aktivizohet dhe zhvillohet duke përpunuar produktet në shkallë lokale, dhe duke krijuar një brand unik dhe përfaqësues për zonën dhe metodikën që kjo zonë e përdor për të ruajtur ushqimin, duke përdorur kripën, bimët, drurët, etj.
Zona e Sotirës ka një histori në prodhimin e produkteve të saj dhe kjo veçanti i jep asaj një potencial të lartë për të qënë konkuruese jo vetëm në lokalitete të tjera, por dhe në rajon e vend.  

5.Aksesi në Infrastrukturë (konektiviteti)
     
Ky fshat ka vetëm një rrugë automobilistike, e cila është mjaft e amortizuar dhe e ngushtë me vetëm një kalim, dhe pa xhepa emergjence për shkëmbimin e automjeteve. Përgjatë shtrirjes së rrugës ka burime të shumta ujore, të cilat kalojnë torthorazi, duke e bërë shumë të veshtirë kalimin në stinën e dimrit, kur këto burime ngrijnë.
Mungesa e një sistemi largimi të ujërave nga rruga është një domosdodhmeri për të shmangur izolimin e zonës. Kjo rrugë lidh fshatin e Sotirës me Krionerin, Llongon dhe së fundmi rrugën  kryesore përgjatë lumit me Vriseranë. Fshati Sotirë lidhet gjithashtu nga ana perëndimore me rrugë malore e shtigje me fshatin Selo dhe Koshovicë. Riaktivizimi i këtyre shtigjeve dhe kalimeve do të favorizojë me tej zhvillimin e turizmit malor, alpinizmit apo edhe ski (maja e Murganes 1846m) në këtë zonë.
Për t’u marrë parasysh është fakti që fshati Selo dhe pylli i Selos bëjnë pjesë në të njëjtin ansambël vlerash dhe peisazhi me fshatin e Sotirës, pasi zona e pyllit të Selos përfshihet në zonën e mbrojtur të bredhit të Sotirës, ku ekziston dhe kalaja e vjetër e Selos, si dhe ikonostati i Shën Thanasit.

 

6.Territori dhe Popullsia   

Ky fshat ndodhet ne fund të një lugine të thellë dhe të gjatë, në një zonë malore të tarracuar rrëzë një mali të mbuluar me pyll bredhi të dendur, i cili është shpallur monument natyre. Vetë fshati përshkohet nga një lum që buron nga mali Murgana. Zona ka një terren të thyer dhe të tarracuar, dhe fshati është zhvilluar përgjatë luginës, që është pasur me bimësi pjellore.
Ndër vite popullsia lokale ka ndryshuar strukturën e saj për shkak të problematikave dhe izolimit të zonës. Aktualisht kjo zonë ka një popullsi prej rreth 430 banorësh. Ky numër ndryshon në verë, kur pjesa më e madhe e popullsisë kthehet nga emigrimi dhe ky fshat rifiton gjallërinë e tij.
Në këtë zonë ka 145 ndërtesa të vjetra të karakterit individual me maksimumi 2 kate, të ndërtuara me gurë, por pak të mirëmbajtura, për shkak dhe të mundësive ekonomike të limituara të banorëve dhe vështirësisë në akses. Karakteristikë në këtë fshat është shkolla që ndodhet pranë sheshit qëndror, një ndërtesë dy katëshe me vlera arkitektonike, e cila nëse riaktivizohet mund të mbulojë mjaft mirë nevojat e zonës për arsimim, dhe të shërbejë edhe si qendër sociale.

  
7.Të tjera  
Momentalisht në  Dropull është duke u hartuar Plani i Përgjithshëm Vendor. Në kuadër të këtij dokumenti për planifikimin e territorit, fshati i Sotirës shihet si një zonë e specializuar në zhvillimin e blegtorisë, kultivimin e përpunimin e bimëve medicinale, dhe zhvillimin e turizmit. Në këtë kuadër janë propozuar disa ndërhyrje, të cilat synojnë integrimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të fshatit Sotirë:  

- Krijimin dhe zhvillimin e fermave blegtorale (duke rritur cilësinë e kullotave, dhe duke shtuar  aktivitete shtesë alternative si pjesë e zhvillimit edhe të agro-turizmit); 
- Krijimin e rezervatit te kafsheve  dhe shpendeve te egra si dreri, thelleza, derri i eger etj. 
- Krijimi i bujtinave pritëse, që do të akomodojnë pushuesit në kuadër të zhvillimit të turizmit; 
- Ngritja e 1 kantine produktesh, që do të bëjë mbledhjen dhe ekspozimin e të gjithave llojeve të   produkteve që prodhon zona;  
- Restaurimi i kishës dhe Kullës së Sahatit, dhe ri-kualifikimi i hapësirave rreth tyre (lidhja me itinerar këmbësor dhe kalërimi me pjesën tjetër të fshatit dhe zonat e tjera); 
- Restaurimi i shkollës së Sotirës, dhe kthimi i saj edhe në një qendër sociale dhe komunitare; 
- Zyrtarizimi dhe promovimi i festës tradicionale të Metamorfosis;  
- Ngritja e një pike mobiliteti, ku mund të meren me qera makina off-road, biçikleta për terren malor, dhe kuaj për kalërim. 
- Plani parashikon gjithashtu të trajnojë banorët vendas për të mirepritur të gjitha këto aktivitete në zonë.  


8. Aktiviteti kryesor ekonomik (aktual) 
Sotira dikur e njohur për punishten që përpunonte esencat e bredhit, sherebelës, pishës, sot aktiviteti kryesor për këtë zonë është mbledhja e bimëve medicinale, bimëve aromatike (rigoni i bardhë) dhe çajrave të ndryshëm. Edhe pse ky aktivitet zhvillohet në mënyrë individuale të pa-organizuar, aksesi në treg është mjaft i vështirë dhe kushtëzon zhvillimin e mëtejshëm të këtij aktiviteti. Kjo për shkak edhe të mungesës së një pike grumbullimi dhe përpunimi, apo dhe mungesës së identitetit të produkteve lokale përmes brandimit dhe markës lokale në treg. 
Për shkak të pozitës gjeografike, cilësive mjaft të mira peisazhistike dhe afërsisë me zonën e mbrojtur, ky fshat në mënyrë spontane ka zhvilluar një turizëm malor, peisazhistik dhe eko-turizmin. 
Momentalisht zona nuk zotëron kapacitetet e nevojshme (për strehim dhe ofrim shërbimesh) për të mirpritur turizmin në mënyrë të organizuar, por kjo s’ka penguar ardhjen e turistëve. Një pjesë e  rëndësishme e aktivitetit ekonimik në zonë e përbëjnë blegtoria dhe produktet blegtorale. Ky sektor gjithsesi has të njëjtën problematikë në lidhje me aksesin dhe brandimin, duke ulur ndjeshëm interesin e popullsisë lokale për të qëndruar dhe operuar në zonë përtej sezonit të verës dhe të aktiviteteve kulturore.   


9. Investimet në infrastrukturë publike të realizuara 

Në këtë fshat investimet kanë ardhur kryesisht si mbështetje e kishës për banorët e fshatit.
Infrastruktura është lënë në amortizim të plotë dhe nuk ka as makineri për pastrimin e borës gjatë sezonit të dimrit.
Një nga investimet e kryera këto 6 vitet e fundit është pikërisht rikonstruksioni i sheshit para kishës, i cila ka lindur si nevojë për hapësirë për aktivitetet e ndryshme që organizohen në këtë fshat.
Rikonstruksoni I kësaj pjese është bërë duke përdorur elemente lokale si guri dhe druri për të ruajtur karakterin lokal të metodave të ndërtimit. Nga sa u tha me siper del nevoja e hartimit te nje projekt zbatimi per implementimin e pikave te mesiperme.
-------------------------------------------------
Pergatiti : Alexander Paskali
ARKITEKT,  PLANIFIKUES URBAN  

Aktivist  i levizjes per promovimin e zonave te thella rurale per me shume akses dhe zhvillim "Dropull a rural experience"

Drejtues i guidave lokale te personalizuara  ne zonen e Dropullit prej 6 vjetesh, vizita ne objektet e kultit dhe zonat e rendesise te vecante, dhe njohes mjaft i mire i shtigjeve malore "Hiking South Albania" 
------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------
                                   
Te gjitha te drejtat jane te rezervuara "Hiking South Albania"  - Guida malore dhe  "Dropull nje  eksperience rurale"

©Copyright Hiking South Albania

Ky artikull është ekskluziv i Alexander Paskali dhe Hiking South Albania, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Hiking South Albania dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Per me shume informacion na gjeni ne   : https://www.facebook.com/Albanian.Adventurer/ 



No comments:

Post a Comment